Sot, ta shkrova nekrologun.
Jo se lajmëtarët e mortit më sollën lajmin,
por se heshtja më pëshpëriti në vesh emrin tënd.
E qëndisa me frymën e fjalëve të fundit,
siç rrapëllojnë portat
para shtërngatës së zemërimit
siç rrapëllojnë kapakët e dritareve
para stuhisë së zhgënjimit.
Njerëzit më thanë:
Se ti jeton dhe je i fortë.
E unë vetëm vura buzën në gaz e thashë:
ka edhe të gjallë që prej kohësh
kanë vdekur në zemrat e të tjerëve.
Njerëzit më thanë:
Se të kanë parë derisa ecje nëpër shesh.
E unë vetëm mbylla sytë e thashë:
Edhe hijet dinë të ecin
kur dielli është pas shpine.
Njerëzit më thanë:
Se zëri yt u dëgjua diku.
E unë vetëm mbylla veshët e thashë:
Edhe jehona
ka zakon të sillet si e gjallë.
Tash, nëse merr frymë apo je bërë pluhur,
për mua më nuk ka rëndësi
sepse njeriu nuk vdes vetëm kur i pushon zemra
por, vdes në atë çast kur kujtesa ia harron fytyrën
siç u harrove edhe ti.
Prandaj, nekrologun tënd e shkrova
jo vetëm për vdekjen tënde,
por për atë pjesë të shpirtit tim
që vdiq bashkë me harresën.