Poezia e re

Nekrologu


Sot, ta shkrova nekrologun.
Jo se lajmëtarët e mortit më sollën lajmin,
por se heshtja më pëshpëriti në vesh emrin tënd.


E qëndisa me frymën e fjalëve të fundit,
siç rrapëllojnë portat
para shtërngatës së zemërimit
siç rrapëllojnë kapakët e dritareve
para stuhisë së zhgënjimit.


Njerëzit më thanë:
Se ti jeton dhe je i fortë.
E unë vetëm vura buzën në gaz e thashë:
ka edhe të gjallë që prej kohësh
kanë vdekur në zemrat e të tjerëve.


Njerëzit më thanë:
Se të kanë parë derisa ecje nëpër shesh.
E unë vetëm mbylla sytë e thashë:
Edhe hijet dinë të ecin
kur dielli është pas shpine.


Njerëzit më thanë:
Se zëri yt u dëgjua diku.
E unë vetëm mbylla veshët e thashë:
Edhe jehona
ka zakon të sillet si e gjallë.


Tash, nëse merr frymë apo je bërë pluhur,
për mua më nuk ka rëndësi
sepse njeriu nuk vdes vetëm kur i pushon zemra
por, vdes në atë çast kur kujtesa ia harron fytyrën
siç u harrove edhe ti.


Prandaj, nekrologun tënd e shkrova
jo vetëm për vdekjen tënde,
por për atë pjesë të shpirtit tim
që vdiq bashkë me harresën.

7 Tetor, 2026
Lexo poezitë e tjera

Libri më i ri

TINGUJT
E ERËS

Tingujt e erës” është përmbledhja me lirikat e autorit Muzafer Ramiqi. Ky botim vjen si një vazhdë projektuese për një lexues shumë të përzgjedhur nga plasaritjet e rrepta të postmodernizmit në jetë e stërngarkuar të brezit që po stepet para ikjes së pamatshme të kohës që ka sjellë vetmi, lakmi, depresion, mospërmbushje e ikje madje edhe nga vetvetja.

Zhytuni në peizazhin zanor poetik të librit më të ri të Muzafer Ramiqit dhe lëreni zërin e erës t’ju udhëheqë mendimet.

Mirë se vini në botën e poezisë dhe fjalëve të Muzafer Ramiqit.

Lindur në vitin 1967 në Pozheran, Kosovë, Muzafer Ramiqi është një poet dhe shkrimtar i pasionuar, vargjet e të cilit kapërcejnë kufijtë e gjuhëve dhe kulturave. Me një formim në Menaxhimin e Burimeve Njerëzore dhe një përkushtim të përjetshëm ndaj letërsisë, ai ka botuar katër përmbledhje poetike dhe ka kontribuar në shumë antologji e revista letrare, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhë ndërkombëtare, përfshirë anglishten, frëngjishten, rumanishten dhe kinezishten. Krijimet e tij përshkohen nga dashuria, kujtesa dhe thellësitë e heshtura të ndjenjave njerëzore.

Biografi e shkurter

Muzafer Ramiqi

Muzafer Ramiqi është një poet shqiptar, vargjet e të cilit ndërthurin gjuhë, kultura dhe emocione, duke kapur të vërtetat e qeta të jetës përmes imazheve të fuqishme poetike.

I lindur në Pozheran në vitin 1967, Muzaferi ia ka kushtuar jetën poezisë dhe letërsisë. Ai ka botuar disa përmbledhje poetike që eksplorojnë dashurinë, kujtesën dhe thelbin e përvojës njerëzore, ndërsa veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Përveç krijimtarisë, ai ka kontribuar si redaktor dhe përkrahës i letërsisë, duke ndihmuar në nxjerrjen në pah të zërave të rinj në skenën letrare.

Botime

Redaktime dhe Recenzione

Botimet — nga më e reja

“Tingujt E Erës”
(2024)

“Autorët e komunës së Vitisë”
(2021)

“Dashuri në shtegtim”
(2019)

Ikin muajt, ikin vitet, orët shkojnë sikur era, pa hetuar ikin ditët si karvanet vijnë të tjera..

Muzafer Ramiqi